Anemia dhe dhimbjet e barkut mund të lidhen me këtë bakter
Bakteri Helicobacter pylori konsiderohet një nga shkaktarët kryesorë të problemeve afatgjata në stomak dhe sistemin tretës, duke u lidhur me një sërë simptomash shqetësuese si anemia e pashpjegueshme, humbja e papritur e peshës, gjaku në jashtëqitje dhe dhimbjet e forta të barkut.
Ky bakter jeton në mukozën e stomakut të njeriut dhe është i aftë të mbijetojë në një mjedis shumë acidik me nivele të ulëta oksigjeni. Përveç stomakut, ai mund të gjendet edhe në gojë dhe në shtresat e dhëmbëve, si dhe në disa raste edhe në jashtëqitje.
Sipas të dhënave mjekësore, në shumicën e rasteve infeksioni me H. pylori shkakton gastrit kronik, ndërsa në rreth 20 për qind të rasteve mund të çojë në ulçerë të stomakut. Në raste më të rralla, rreth 1 për qind e pacientëve mund të zhvillojnë komplikime më serioze, përfshirë edhe kancerin e stomakut.
Ekspertët theksojnë se ky bakter është zbuluar relativisht vonë, në vitet ’80, dhe zbulimi i tij ka ndryshuar mënyrën e trajtimit të ulcerave, të cilat më parë lidheshin gabimisht me ushqimet pikante, stresin apo stilin e jetesës.
Transmetimi i bakterit ende nuk është studiuar plotësisht, por besohet se ai përhapet nga personi i infektuar te tjetri përmes kontaktit me pështymën, jashtëqitjen ose përmbajtjen e stomakut.
Diagnostikimi bëhet lehtë përmes ekzaminimit endoskopik, i cili rekomandohet sidomos për personat që shfaqin simptoma si anemia e pashpjegueshme, humbja e shpejtë e peshës, gjaku në jashtëqitje dhe dhimbjet e forta të barkut.
Flaka
















