Anemia – sëmundja e heshtur: shenjat që nuk duhet t’i injoroni
Anemia, e njohur si mungesa e hekurit në organizëm, është një nga problemet më të zakonshme shëndetësore, por shpesh mbetet e padiagnostikuar për shkak të simptomave të saj të përgjithshme dhe të lehta për t’u ngatërruar me gjendje të tjera.
Sipas specialistëve, trupi ka nevojë për hekur për të prodhuar qeliza të kuqe të gjakut, të cilat transportojnë oksigjenin në të gjithë organizmin. Kur ky proces dëmtohet, shfaqen probleme që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme.
Ndër shenjat më të zakonshme të anemisë përfshihen lodhja e vazhdueshme, dobësia, vështirësia në përqendrim, si dhe zbehja e lëkurës dhe mukozave. Po ashtu, mund të shfaqen vështirësi në frymëmarrje gjatë aktivitetit fizik, rrahje të shpejta të zemrës, ankth, dhimbje koke dhe mpirje në gjymtyrë.
Te femrat, periodat e rënda ose të parregullta mund të jenë gjithashtu një tregues i rëndësishëm i mungesës së hekurit.
Ekspertët theksojnë se këto simptoma shpesh injorohen, por nëse shfaqen në mënyrë të vazhdueshme, është e rëndësishme të bëhet një kontroll mjekësor dhe analiza e gjakut për të vendosur diagnozën e saktë dhe trajtimin në kohë.
Flaka
















