Arrestohet i punësuari në MPB, voziste në drejtim të kundërt dhe kërcënoi policin
Më 01.04.2026, zyrtarë policorë kanë ndaluar S.R. (45), i punësuar në sektorin për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Ngjarja ka ndodhur në një kryqëzim në Shkup, ku një polic i SPB Shkup, gjatë rregullimit fizik të trafikut, ka ndaluar një automjet të tipit “Mercedes”, të cilin e drejtonte S.R. Sipas njoftimit, ai po lëvizte në drejtim të kundërt dhe njëkohësisht po tejkalonte kolonën e automjeteve.
Pas ndalimit, policia i ka kërkuar dokument identifikimi, por S.R. është prezantuar si i punësuar në MPB dhe ka deklaruar se nuk posedon letërnjoftim. Më pas, ai ka filluar të sillet në mënyrë agresive dhe të kërcënojë policin.
Si rezultat, ai është shoqëruar në stacion policor, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Departamenti për kontroll të brendshëm, hetime kriminalistike dhe standarde profesionale.
Ndaj tij janë ngritur kallëzime përkatëse për shkelje të disa dispozitave ligjore, përfshirë Ligjin për siguri në komunikacionin rrugor, Ligjin për kundërvajtjet kundër rendit dhe qetësisë publike, si dhe Ligjin për letërnjoftim. Gazeta Flaka
















