Arrestohet shtetasi serb në Tabanoc, në autostradë kishte vozitur me 158 km/h në zonë ku kufiri ishte 80 km/h
Një shtetas 59-vjeçar nga Serbia është arrestuar në vendkalimin kufitar Tabanoc, pasi sistemi „Qyteti i Sigurt“ e kishte evidentuar për drejtim të pakujdesshëm të automjetit në autostradën Demir Kapi – Gjevgjeli.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), më 22 nëntor 2026, në orën 19:40, në dalje të shtetit, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria shtetasin serb me inicialet Gj.K. (59).
Gjatë kontrollit të automjetit të tipit „Audi“, me targa serbe, të cilin e drejtonte, është konstatuar se përmes sistemit „Qyteti i Sigurt“ ishte regjistruar si kryerës i veprës penale sipas nenit 297-a të Kodit Penal, „drejtim i pakujdesshëm i automjetit motorik“.
„Më 19.11.2026, në autostradën Demir Kapi–Gjevgjeli, ai e kishte drejtuar automjetin me shpejtësi prej 158 kilometrash në orë, në një pjesë të rrugës ku shpejtësia maksimale e lejuar është 80 kilometra në orë“, thuhet në njoftimin e MPB-së.
I arrestuari është dërguar në Stacionin Policor të Negotinës, ndërsa është njoftuar edhe prokurori publik. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës penal.
Flaka















