Barcelona zyrtarizon ofertën për Bernardo Silvën, portugezi lë gjithçka të hapur
Barcelona ka hedhur një hap konkret në përpjekjet për të transferuar mesfushorin portugez Bernardo Silva, duke i paraqitur atij ofertën zyrtare për t’u bashkuar me klubin katalanas.
Megjithatë, ylli portugez ka bërë të ditur se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar mbi të ardhmen e tij. Në një deklaratë të fundit, Silva konfirmoi se Barcelona mbetet një nga opsionet kryesore, por theksoi se në tavolinë ka edhe oferta të tjera që po shqyrton me kujdes.
“Po, Barcelona është një nga opsionet, por ende nuk kam marrë një vendim final. Ka shumë mundësi dhe kam respekt për të gjitha klubet e interesuara”, deklaroi mesfushori.
Silva shtoi se prioriteti i tij është të zgjedhë një klub ku të ndihet i vlerësuar dhe i dëshiruar. “Në fund do të përpiqem të gjej një skuadër që më do vërtet dhe ku ndihem i rëndësishëm. Kjo është shumë e rëndësishme për mua. Kur të marr vendimin, të gjithë do ta mësojnë”, u shpreh ai.
Sipas raportimeve, vendimi përfundimtar i portugezit pritet të merret vetëm pas përfundimit të Botërorit 2026, ndërsa Barcelona mbetet optimiste për ta bindur atë të transferohet në “Camp Nou”.
Flaka
















