BDI: 21 me 0 edhe në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 11 Qershor, 2025 11:57 Përditësuar

BDI: 21 me 0 edhe në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin më të thellë dhe dënon ashpër përjashtimin sistematik dhe të qëllimshëm të shqiptarëve nga institucionet shtetërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, transmeton Flaka. Ky fenomen diskriminues po merr përmasa alarmante dhe përbën shkelje të rëndë të parimeve të barazisë dhe përfaqësimit të drejtë.

Rasti i fundit që e ilustron qartë këtë realitet shqetësues është Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ku nga gjithsej 21 të punësuar, asnjë nuk është shqiptar. Ky është një institucion publik që vepron me mjete buxhetore të taksapaguesve, përfshirë qytetarët shqiptarë, dhe përjashtimi i plotë i një komuniteti të tërë përbën praktikë të papranueshme dhe të dënueshme.

Ky nuk është rast i izoluar. Ai është pjesë e një politike përjashtuese, që shkon në kundërshtim të drejtpërdrejtë me frymën dhe shkronjën e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe me vlerat themelore të integrimit evropian.

BDI kërkon reagim të menjëhershëm institucional dhe nisjen e një hetimi të pavarur për të garantuar përfaqësim të drejtë dhe proporcional të shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës publike, nga pozitat drejtuese deri te vendet ekzekutive.

Diskriminimi nuk mund të normalizohet. Heshtja nuk është opsion. Barazia është e panegociueshme. Flaka Media

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 11 Qershor, 2025 11:57 Përditësuar
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media