BDI ngre zërin: 32 punësime në Regjistrin Qendror, asnjë shqiptar – E papranueshme!
Bashkimi Demokratik për Integrim – BDI, ka reaguar ndaj vendimit për 32 punësime të reja në Regjistrin Qendror të Maqedonisë së Veriut, ku asnjë shqiptar nuk është përfshirë, duke e cilësuar këtë si diskriminim të pastër institucional dhe si një praktikë që thellon përjashtimin etnik në sektorin publik, transmeton Flaka
“Kjo nuk është më statistikë, është alarm!” – thuhet në reagimin zyrtar të BDI-së.
“Po instalohet një sistem që e zhduk shqiptarët nga institucionet publike. Kjo ndodh përditë, në çdo sektor, dhe nuk mund të tolerohet më!”
Sipas BDI-së, ky rast është vetëm një shembull i politikave përjashtuese të kësaj qeverie, të cilat bien ndesh me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe konceptin e një shteti shumetnik.
“Përjashtimi i plotë i shqiptarëve nga këto punësime është dëshmi e qartë e diskriminimit institucional dhe i qasjes selektive ndaj qytetarëve mbi baza etnike.”
Partia shqiptare që është pjesë e shumicës parlamentare por jo e ekzekutivit, i bën thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të reagojnë menjëherë, duke paralajmëruar se kjo nuk është thjesht një çështje punësimi, por një çështje thelbësore e barazisë, paqes dhe ekzistencës së një shteti funksional shumetnik.
“Deri këtu! Kjo padrejtësi nuk kalon në heshtje,” – përfundon reagimi i BDI-së.
Ky zhvillim pritet të hapë debat të ashpër politik në vend, në një moment kur qeveria po përballet me kritika për mungesë të balancës etnike në administratë dhe institucione publike. Flaka
















