BDI: Veting me mbikëqyrje ndërkombëtare për të gjithë funksionarët – Ademi: “Ky është kusht për drejtësi”
Në një konferencë për media të mbajtur sot, nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, ka theksuar edhe njëherë domosdoshmërinë e procesit të vetingut në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar si “jetik për ndërtimin e besimit në drejtësi, institucione dhe shtet”.
“Qëndrimi ynë është i qartë dhe i pandryshueshëm,” deklaroi Ademi, duke kërkuar mbështetje për propozim-ligjin e BDI-së për një veting gjithëpërfshirës me mbikëqyrje ndërkombëtare.
Në fjalimin e tij, Ademi renditi një sërë kërkesash dhe propozimesh konkrete:
- Hetim për të gjitha partitë politike për periudhën e 33 viteve të fundit;
- Kontroll të pasurisë për të gjithë bartësit e funksioneve publike në këtë periudhë: ministra, deputetë, kryetarë komunash, gjyqtarë, prokurorë, drejtorë etj.;
- Hetim të thelluar për procesin e privatizimit, që sipas tij “shërbeu si bazë për krijimin e oligarkëve të paprekshëm”;
- Hetim për strukturat e sigurisë shtetërore që nga viti 1945, përfshirë OZNA, UDB, SDB, DBK, UBK dhe ANB.
“Ky nuk është vetëm një projekt politik, por kusht për drejtësi dhe për një të ardhme më të ndershme për të gjithë”, u shpreh Ademi.
Ai bëri thirrje të drejtpërdrejtë ndaj të gjitha partive që të ndjekin shembullin e BDI-së dhe të kërkojnë nga Prokuroria hetim për funksionarët e tyre:
“Nëse nuk kanë çfarë të fshehin, le ta dëshmojnë!”
Ademi nuk kurseu as kritikat për heshtjen e qeverisë aktuale:
“U bëjmë thirrje edhe atyre që janë sot në pushtet dhe që heshtin, që të kërkojnë nga kryeministri t’i bashkëngjitet menjëherë nismës sonë. Heshtja është bashkëpërgjegjësi.”
Konferenca u mbyll me një porosi të qartë:
“Sado që ka kundërshtime, vetingu do të ndodhë.”
















