Bruno Fernandes trondit tifozët: “Manchester United ishte gati të më linte të largohesha”
Kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, ka bërë deklarata të forta dhe emocionale, duke zbuluar se nga ana e klubit kishte ndjerë se largimi i tij nuk do të ishte problem, pavarësisht dashurisë dhe përkushtimit që ai ka treguar prej vitesh ndaj “Djajve të Kuq”.
Në një intervistë për Canal 11, mesfushori portugez pranoi se drejtuesit e klubit ishin të gatshëm ta linin të largohej, por vendimi përfundimtar u ndal kryesisht falë insistimit të trajnerit Rúben Amorim.
Deklaratat kryesore të Bruno Fernandes:
“Manchester United donte që unë të largohesha, këtë e kam në kokën time. Mendoj se nuk patën guximin ta bënin sepse Rúben Amorim më donte këtu.”
“Al Hilal më donte, paga ishte shumë më e lartë… por vendosa të qëndroj sepse e dua vërtet klubin. Fatkeqësisht, besnikëria nuk vlerësohet më si dikur.”
“Nga ana e klubit ndjeva sikur: ‘Nëse largohesh, nuk është edhe aq keq për ne’. Kjo më trishton.”
“Jam gjithmonë i gatshëm të luaj, gjithmonë jap maksimumin, pavarësisht nëse luaj mirë apo keq.”
Bruno theksoi se biseda me trajnerin Amorim, si dhe arsyet familjare, ishin vendimtare për të qëndruar në “Old Trafford”, duke shtuar se nëse ai vetë do të kishte kërkuar largimin, klubi do ta kishte pranuar pa hezitim.
Këto deklarata kanë hapur diskutime të mëdha mes tifozëve, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si Manchester United trajton liderët dhe figurat kryesore të skuadrës.
Flaka












