Calhanoglu drejt rikthimit në Turqi – Galata gati ta bëjë transferimin më të shtrenjtë ndonjëherë
Kampioni i Turqisë, Galatasaray, është pranë një goditjeje të bujshme në merkato që mund të hyjë në historinë e futbollit turk. Sipas mediave turke, klubi nga Stambolli ka hyrë në negociata me Hakan Calhanoglu, duke i ofruar një kontratë trevjeçare me një pagë prej 10 milionë euro në sezon – një shumë që e vendos atë ndër futbollistët më të paguar në Evropë jashtë ligave elitare.
Përveç pagës marramendëse, Galatasaray është e gatshme të paguajë 30 milionë euro për kartonin e tij, duke thyer rekordin aktual të transferimit më të shtrenjtë në historinë e futbollit turk, që mbahet nga Youssef En-Nesyri (19.5 milionë euro te Fenerbahçe).
Calhanoglu, aktualisht pjesë e Interit, është një tifoz i deklaruar i Galatasarayt, çka mund ta lehtësojë kalimin e tij në “Ali Sami Yen”. Lojtari 31-vjeçar shihet si përforcimi ideal për të forcuar më tej një skuadër që tashmë ka nënshkruar me emra të mëdhenj, si Leroy Sané.
Pak javë më parë, Galatasaray pagoi 18 milionë euro për brazilianin Gabriel Sara, por operacioni për Calhanoglu përfaqëson një tjetër nivel, si në aspektin sportiv, ashtu edhe financiar.
Me një mesfushë të ndërtuar mbi boshtin Sané-Calhanoglu, Galatasaray jo vetëm që synon të mbrojë titullin në Superligën turke, por gjithashtu të bëjë figurë të denjë në garat evropiane, ku klubi dëshiron rikthimin në majat e dikurshme.
Flaka
















