Çfarë ndodh me trupin kur konsumoni mjaltë çdo ditë
Mjalti prej kohësh konsiderohet një nga produktet natyrale më të vlefshme në ushqyerje dhe mjekësinë popullore. Sipas ekspertëve të ushqyerjes, konsumimi i moderuar i tij çdo ditë mund të sjellë përfitime për energjinë, tretjen dhe mirëqenien e përgjithshme, veçanërisht kur përdoret si alternativë ndaj sheqerit të rafinuar.
Specialistët theksojnë se efektet pozitive mund të vërehen që në javën e parë të konsumit të rregullt, sidomos në nivelin e energjisë dhe ndjesinë e lodhjes gjatë ditës.
Një lugë çaji mjaltë në mëngjes furnizon organizmin me sheqerna natyrale që përthithen gradualisht, duke ndihmuar në ruajtjen e energjisë dhe shmangien e luhatjeve të shpejta të glukozës në gjak.
Mjalti përmban gjithashtu substanca prebiotike që ndihmojnë florën intestinale, duke kontribuar në tretje më të mirë dhe reduktim të fryrjes abdominale.
Përveç mëngjesit, ai përdoret edhe në mbrëmje për qetësimin e fytit dhe lehtësimin e kollës së thatë. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë që nuk duhet t’u jepet fëmijëve nën moshën një vjeç për shkak të rrezikut të botulizmit.
Një nga gabimet më të shpeshta është shtimi i mjaltit në pije shumë të nxehta, pasi temperaturat e larta mund të dëmtojnë enzimat e tij natyrale. Po ashtu, konsumi i tepruar nuk rekomandohet, pasi mjalti përmban sheqerna dhe kalori që mund të ndikojnë në shtimin në peshë.
Specialistët sugjerojnë edhe kujdes në zgjedhjen e produktit, duke preferuar mjaltin e prodhuesve të besuar dhe duke vërejtur karakteristika si kristalizimi natyral, aroma dhe mungesa e shkumës.
Edhe pse studime të ndryshme tregojnë për ndikime pozitive në kolesterol, sheqer në gjak dhe zëvendësimin e sheqerit të rafinuar, efektet ndryshojnë nga individi në individ dhe varen nga mënyra e jetesës dhe sasia e konsumuar.
Flaka










