Cucurella zbulon bisedën me Mourinhon: Më telefonoi dhe më tha se më donte te Real Madridi
Mbrojtësi spanjoll Marc Cucurella ka folur për transferimin e tij te Real Madrid, duke zbuluar detaje interesante nga biseda që pati me trajnerin José Mourinho përpara finalizimit të marrëveshjes.
Në një intervistë për El Mundo, Cucurella tregoi se Mourinho e kishte telefonuar personalisht për t’i shprehur dëshirën që ta kishte në skuadër.
“José Mourinho më telefonoi dhe më tha se mezi priste të punonte me mua. Më tha se do të përshtatesha shumë mirë dhe se Real Madridi është një klub i madh. Më pas më uroi suksese në Kupën e Botës dhe më tha se do të takoheshim në Madrid”, deklaroi mbrojtësi.
Cucurella shtoi se është shumë i lumtur për besimin që trajneri ka treguar ndaj tij dhe mezi pret të nisë punën nën drejtimin e portugezit.
Futbollisti zbuloi gjithashtu se transferimi u realizua me shpejtësi të madhe.
“Gjithçka ndodhi brenda 36 deri në 48 orëve. Kështu më pëlqen mua, pa shumë kokëçarje. Jam shumë i lumtur tani”, tha ai.
Duke shpjeguar arsyet që e shtynë të zgjidhte Real Madridin, Cucurella foli për historinë dhe magjinë e klubit madrilen.
“Real Madridi ka një lloj mistike. Shumë pak njerëz mund ta kuptojnë se si ky ekip arrin të përmbysë ndeshje që duken të humbura. Të jesh pjesë e atyre netëve magjike është diçka që çdo futbollist do ta dëshironte”, u shpreh spanjolli.
Ai theksoi se identifikohet me mentalitetin luftarak të klubit, duke shtuar se dëshiron të përjetojë netë të mëdha evropiane dhe të luftojë për trofe me fanellën e Real Madridit.
Flaka












