“Dënim drakonik” ndaj Shkëndijës – 105 mijë euro gjobë tronditin shqiptarët
Vendimi i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut për të dënuar KF Shkëndijën me 105 mijë euro gjobë dhe përjashtim nga edicioni i ardhshëm i Kupës ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin sportiv dhe më gjerë.
Sipas vendimit të organeve disiplinore, klubi tetovar është ndëshkuar për disa shkelje të evidentuara gjatë finales së Kupës të zhvilluar në Arenën “Todor Proeski” më 20 maj. Dënimet përfshijnë 15 mijë euro për përdorimin e mjeteve piroteknike, 10 mijë euro për kore dhe slogane të cilësuara si të papërshtatshme, si dhe 20 mijë euro për një baner që autoritetet e futbollit e kanë vlerësuar si problematik.
Pjesa më e rëndë e sanksionit lidhet me refuzimin e pranimit të medaljeve pas ndeshjes, për çka Shkëndija është gjobitur me 30 mijë euro dhe është përjashtuar nga Kupa për sezonin 2026/27. Federata ka arsyetuar vendimin me mosrespektim të protokollit, zyrtarëve dhe ekipit kundërshtar.
Vendimi ka nxitur reagime të forta në opinion, ku figura sportive dhe tifozë kanë ngritur pyetje mbi proporcionalitetin e dënimit dhe trajtimin e klubeve shqiptare në futbollin vendor. Ish-futbollisti Kemajl Milaim Goca ka reaguar publikisht duke kërkuar sqarime nga kryetari i FFM-së, Masar Omeragiq, lidhur me, siç thotë ai, “tronditjet e vazhdueshme te klubet shqiptare”.
Ndërkohë, dënimi i Shkëndijës ka bërë jehonë edhe jashtë vendit. Mediat në Shqipëri dhe Kosovë i kanë kushtuar vëmendje të veçantë vendimit, duke e cilësuar atë si një nga ndëshkimet më të rënda të shqiptuara ndonjëherë ndaj një klubi në futbollin e Maqedonisë së Veriut.
Me 105 mijë euro gjobë, rasti i Shkëndijës tashmë konsiderohet si një prej dënimeve më të mëdha financiare në historinë e sportit vendor. Gazeta Flaka
















