Dietat e pabalancuara dhe ushqimet “e fshehura” që mund të dëmtojnë shëndetin
Dietat e pabalancuara po konsiderohen gjithnjë e më shumë si një nga rreziqet kryesore për shëndetin e njeriut në ditët e sotme. Sipas disa studimeve, mungesa e lëndëve ushqyese të rëndësishme mund të ketë pasoja të rënda për organizmin, duke ndikuar në zhvillimin e sëmundjeve kronike.
Edhe pse shumë produkte konsiderohen “të shëndetshme”, disa prej tyre mund të kenë efekt të kundërt kur konsumohen në mënyrë të gabuar ose në sasi të tepruara.
Lëngjet e frutave të freskëta, për shembull, shpesh perceptohen si alternativë e shëndetshme, por përmbajtja e lartë e sheqerit natyral mund të rrisë rrezikun për diabet nëse konsumohen pa kontroll.
Granola është një tjetër produkt që shpesh reklamohet si ushqim i shëndetshëm, por shumë variante të saj përmbajnë sasi të larta të sheqerit të shtuar. Ekspertët rekomandojnë që një porcion i balancuar të ketë fibra, proteina dhe nivel të ulët sheqeri.
Edhe sushi, ndonëse i bazuar në përbërës të shëndetshëm si peshku dhe orizi, mund të bëhet kalorik kur kombinohet me salca, majonezë apo krem djathi.
Sa i përket peshkut të kultivuar në supermarkete, ai shpesh mund të ketë më pak vlera ushqyese dhe të përmbajë aditivë të përdorur në procesin e rritjes industriale.
Specialistët gjithashtu paralajmërojnë për produktet “pa yndyrë”, të cilat shpesh kompensohen me sheqer të shtuar për të ruajtur shijen, duke mos qenë gjithmonë zgjedhje e shëndetshme.
Në listën e ushqimeve problematike përfshihet edhe buka e bardhë, e cila për shkak të mungesës së fibrave dhe lëndëve ushqyese mund të ndikojë negativisht në peshë, tensionin e gjakut dhe rrezikun për diabet dhe sëmundje kardiovaskulare.
Flaka
















