Dy fitore ndërkombëtare për MMA Protector Dolçino në Greqi, klubi falënderon Komunën e Gostivarit për mbështetjen
Dy luftëtarët e MMA-së nga Gostivari, Dario Nastoski dhe Ilber Bedo, anëtarë të klubit MMA Protector Dolçino, kanë shënuar fitore në turneun ndërkombëtar Octagon Summer Series: Seaside Edition, i mbajtur më 4 korrik në Stavros, pranë Selanikut në Greqi.
Nastoski garoi në kategorinë e seniorëve deri në 70 kilogramë, ku mposhti me vendim të gjyqtarëve luftëtarin grek Giannis Sotiriadis. Ndërkohë, Bedo triumfoi në konkurrencën e juniorëve deri në 66 kilogramë, duke fituar ndaj grekut Nikos Mihailidis, gjithashtu me vendim të gjyqtarëve.
Sipas portalit grek Eidisis.gr, turneu u zhvillua me pjesëmarrjen e 160 sportistëve nga 10 shtete, të cilët zhvilluan 70 duele në disiplinat Octagon MMA, Octagon Grappling dhe Octagon Striking. Aktiviteti u organizua nga klubi sportiv “Positive Energy” në bashkëpunim me Octagon Fighting Show, nën patronazhin e ISDO dhe International Budokai Union.
Nga klubi MMA Protector Dolçino vlerësojnë se këto fitore përfaqësojnë një sukses të rëndësishëm ndërkombëtar dhe një konfirmim të punës së vazhdueshme me sportistët e rinj.
Njëkohësisht, klubi ka shprehur mirënjohje për Komunën e Gostivarit, e cila gjatë vitit 2026 ka mbështetur aktivitetet e klubit, duke theksuar se kjo ndihmë ka qenë e rëndësishme për pjesëmarrjen në gara ndërkombëtare dhe zhvillimin e sportit të arteve marciale në qytet.
Edicioni i sivjetmë i Octagon Summer Series u zhvillua nën moton “Martial Arts and Friendship”, duke mbledhur luftëtarë, trajnerë dhe adhurues të sporteve luftarake nga vende të ndryshme. Gazeta Flaka
















