Faktorët e papritur që dëmtojnë gjumin tuaj dhe ndikojnë në shëndetin mendor e fizik
Gjumi i pamjaftueshëm nuk ndikon vetëm në energjinë gjatë ditës, por mund të ketë pasoja edhe në shëndetin fizik, mendor dhe aftësinë për t’u përqendruar.
Ndërsa shumë njerëz e dinë se kafeja në orët e vona ose përdorimi i pajisjeve elektronike para gjumit mund të prishin pushimin, ekzistojnë edhe faktorë të tjerë më pak të njohur që mund të ndikojnë në cilësinë e gjumit.
Sipas studimeve, mosha luan një rol të rëndësishëm, pasi me kalimin e viteve ndryshimet në tru mund të ndikojnë në rregullimin e ciklit të gjumit. Gjithashtu, gjenetika mund të ndikojë te orari natyral i gjumit, ku disa njerëz kanë prirje biologjike për të qëndruar zgjuar më gjatë.
Edhe gjinia, lloji i punës, veçanërisht profesionet me turne, si dhe ndryshimet e mëdha në orarin e gjumit gjatë fundjavave mund të ndikojnë në ritmin biologjik të trupit.
Studime të ndryshme kanë treguar gjithashtu lidhje mes cilësisë së gjumit dhe faktorëve socialë, si statusi martesor apo niveli i arsimimit. Ndërkohë, edhe zgjedhje të përditshme si konsumimi i çajrave me mente ose produkteve me aromë të fortë para gjumit mund të ndikojnë në nivelin e vigjilencës.
Madje, disa kërkime kanë analizuar edhe ndikimin e fazave të hënës, duke sugjeruar se ato mund të kenë një efekt të vogël në modelet e gjumit, sidomos te fëmijët.
Ekspertët këshillojnë që për një gjumë më cilësor të mbahet një rutinë e qëndrueshme, të shmangen stimuluesit para gjumit dhe të krijohet një ambient i qetë për pushim.
Flaka
















