Fidan Jusufi: Marrëveshja e Ohrit nuk është marrëveshje me afat – analizë politiko-juridike
Fidan Jusufi
Shpesh jemi dëshmitarë që në diskursin politik dhe publik dëgjohen vlerësime se Marrëveshja Kornizë e Ohrit “ka përfunduar”, “ka mbaruar” ose se ka qenë një marrëveshje me afat, pas përfundimit të të cilit pushojnë edhe efektet e saj juridike dhe politike. Një interpretim i tillë nuk qëndron as nga këndvështrimi i shkencave politike, as nga ai i së drejtës kushtetuese.
Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk është një dokument me karakter të përkohshëm. Ajo u materializua përmes ndryshimeve kushtetuese, ligjeve dhe akteve nënligjore, duke u bërë pjesë përbërëse e rendit juridik dhe institucional të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Si e tillë, ajo nuk funksionon si një marrëveshje politike me afat zbatimi, por si një bazë normative mbi të cilën është ndërtuar funksionimi i shtetit.
Nga perspektiva e teorisë së sistemeve politike, transformimi më i rëndësishëm që solli Marrëveshja e Ohrit ishte kalimi nga modeli klasik i demokracisë së shumicës drejt elementeve të demokracisë konsensuale. Ky transformim nuk nënkupton vetëm ndryshime procedurale, por një rikonceptim të mënyrës së ushtrimit të pushtetit, të përfaqësimit politik dhe të mekanizmave të vendimmarrjes në një shoqëri multietnike.
Në këtë kuptim, Marrëveshja e Ohrit nuk mund të trajtohet si një proces që “përfundon”. Demokracitë konsensuale janë sisteme dinamike, të cilat kërkojnë dialog të vazhdueshëm institucional, ndërtim të besimit ndërmjet komuniteteve dhe përshtatje të vazhdueshme ndaj sfidave politike, shoqërore dhe juridike. Për këtë arsye, zbatimi i saj nuk matet me kalimin e kohës, por me funksionalitetin e institucioneve dhe cilësinë e marrëdhënieve ndëretnike.
Në praktikën e sistemeve të tilla politike, vazhdimisht lindin çështje të reja që kërkojnë zgjidhje institucionale. Kjo është një karakteristikë normale e çdo modeli konsensual dhe nuk përbën dëshmi se marrëveshja ka dështuar apo se ka skaduar. Përkundrazi, kjo tregon se sistemi politik është në zhvillim të vazhdueshëm dhe kërkon përkushtim të pandërprerë nga institucionet dhe aktorët politikë.
Prandaj, çdo përpjekje për ta paraqitur Marrëveshjen e Ohrit si një dokument me afat përbën një keqinterpretim të natyrës së saj juridike dhe politike. Ajo nuk është një dokument me datë skadimi, por një akt historik, parimet e të cilit janë inkorporuar në rendin kushtetues dhe institucional të shtetit dhe vazhdojnë të strukturojnë funksionimin e tij. Sfida nuk është nëse Marrëveshja “ka përfunduar”, por nëse parimet mbi të cilat ajo është ndërtuar zbatohen dhe zhvillohen në mënyrë efektive, të qëndrueshme dhe konsekuente.
Një shtet multietnik nuk ndërtohet mbi logjikën e afateve, por mbi vazhdimësinë e dialogut, respektimin e rendit kushtetues dhe avancimin e vazhdueshëm të demokracisë konsensuale.
Nga këndvështrimi shkencor, ky është kuptimi dhe natyra e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Interpretimet politike mund të ndryshojnë sipas interesave dhe qëndrimeve të aktorëve politikë, por ato nuk mund ta ndryshojnë natyrën juridike dhe kushtetuese të saj.
















