BDI kërkon zgjedhje të parakohshme: “Le të shpërndahet Kuvendi, le të caktohet data”
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka përshëndetur gatishmërinë e shprehur nga kryeministri Hristijan Mickoski për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, nëse një gjë e tillë kërkohet nga opozita.
“E kërkojmë”, thekson BDI, duke vlerësuar se deklarata e kryeministrit dëshmon se edhe ai e ka kuptuar se gjendja aktuale është e paqëndrueshme dhe se vendi ka nevojë për një mandat të ri politik.
Sipas BDI-së, qeveria ka humbur legjitimitetin për të vazhduar me, siç shprehen ata, “izolimin evropian, degradimin e marrëdhënieve ndëretnike, cenimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe dobësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione”.
“Prandaj, BDI kërkon që deklarata e kryeministrit të shndërrohet menjëherë në veprim”, thuhet në reagim.
BDI kërkon që brenda ditëve të përcaktohet afati më i shpejtë kushtetues, të fillojnë përgatitjet zgjedhore dhe qytetarëve t’u jepet mundësia të vendosin për drejtimin e vendit.
“Nëse oferta e kryeministrit është serioze, nuk ka arsye për vonesa, arsyetime apo kalkulime politike. Opozita e ka dhënë përgjigjen e saj. BDI është e gatshme”, deklaron partia.
Në fund, BDI e përmbyll reagimin me kërkesë të drejtpërdrejtë:
“Le të shpërndahet Kuvendi. Le të caktohet data. Le të shkojmë në zgjedhje.” Gazeta Flaka
















