Gattuso trajner i Italisë – paga modeste, mision i madh
Gennaro Gattuso është zyrtarizuar si trajneri i ri i Italisë, duke pranuar ofertën pa kërkuar paga të larta. Sipas “La Repubblica”, ish-mesfushori i Milanit ka gjetur përkrahje nga emra të rëndësishëm si Gianluigi Buffon dhe “senatorët” e skuadrës, të cilët kanë dhënë konsensusin e tyre për këtë emërim.
Ndryshe nga pararendësit e tij, Gattuso ka nënshkruar për një pagë vjetore prej vetëm 800 mijë euro neto, shumë më pak se Roberto Mancini (3 milionë euro) apo Luciano Spalletti (2.8 milionë euro). Megjithatë, kontrata përfshin një bonus prej 1 milion euro në rast të kualifikimit për Kupën e Botës 2026.
Nëse Italia arrin kualifikimin, kontrata e trajnerit të ri do të zgjatet automatikisht deri në vitin 2028, për të udhëhequr ekipin drejt Kampionatit Evropian që do të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë.
Ndeshjet e para zyrtare nën drejtimin e Gattusos do të zhvillohen më 5 dhe 8 shtator, përkatësisht kundër Estonisë dhe Izraelit, në kuadër të kualifikueseve për Botërorin 2026. Aktualisht, Italia është e treta në grup, pas Norvegjisë dhe Izraelit, por me një ndeshje më pak.
Objektivi minimal është vendi i dytë, që e çon skuadrën në fazën “playoff”. Për të shpresuar në një kualifikim të drejtpërdrejtë, Italia duhet të fitojë të gjitha pesë ndeshjet e mbetura, përfshirë edhe finalen e grupit më 16 nëntor ndaj Norvegjisë.
Një problem shtesë për skuadrën e Gattusos është diferenca e golave: Norvegjia ka +11, ndërsa Italia -1. Nëse dështojnë të sigurojnë vendin e dytë, mundësia e fundit do të jetë përmes Nations League, me shpresën se fituesit e grupeve aty kualifikohen përmes fazës së grupeve dhe hapin vende shtesë për “playoff”.
Flaka
















