Gjendje e jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut – Aktivizohet edhe Ushtria, dy viktima nga zjarret
Për shkak të përhapjes masive të zjarreve në Maqedoninë e Veriut, Qeveria ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme 30-ditore në të gjithë territorin e vendit. Situata alarmante ka detyruar aktivizimin e Shtabit të Krizës, i cili do të mblidhet sonte nën drejtimin e kryeministrit Hristijan Mickoski, shkruan Flaka. Ky i fundit, për shkak të gjendjes emergjente, ka anuluar pjesëmarrjen në tribunën partiake të VMRO-DPMNE-së në Kumanovë, të planifikuar për në orën 19:30.
Ndërkohë, Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ka nënshkruar vendimin për angazhimin e Ushtrisë në përballjen me zjarret, në përputhje me Ligjin për menaxhim me kriza. Ushtria do të ndihmojë në terren për shuarjen e flakëve, ndërsa mënyra e operimit do të përcaktohet nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë.
Kabineti presidencial njoftoi se Presidentja po ndjek nga afër situatën dhe ka shprehur shqetësim dhe solidaritet me qytetarët e prekur nga fatkeqësia.
Fatkeqësisht, është konfirmuar viktima e dytë si pasojë e zjarreve. Një person ka humbur jetën pranë një vatre zjarri në afërsi të fshatit Lozanovë, Komuna e Kriva Pallankës. Trupi i pajetë u gjet nga policia lokale, ndërsa prokuroria po heton rrethanat e vdekjes.
Një tjetër trup i djegur, së bashku me kafshë të ngordhura, u gjet një ditë më parë pranë Stacionit Hekurudhor “Gjorçe Petrov” në Shkup.
Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve për vigjilencë maksimale dhe bashkëpunim me shërbimet e emergjencës, ndërsa përpjekjet për kontrollin e situatës janë intensifikuar në të gjithë vendin.
Lexo edhe: Maqedonisë së Veriut po i digjen kufijtë – Rrezik në brezin kufitar me Kosovën dhe Greqinë
















