Guardiola shpërthen ndaj kritikave për festimet e City-t
Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka reaguar me tone të ashpra ndaj kritikave për festimet e skuadrës pas fitores 2-1 ndaj Arsenal në Premier League.
Ish-sulmuesi Wayne Rooney kishte deklaruar se festimet e lojtarëve të City-t ishin të ekzagjeruara, duke përmendur momentet e gëzimit pas ndeshjes si të papërshtatshme për një fitore të zakonshme në kampionat.
Pa e përmendur drejtpërdrejt Rooney-n, Guardiola reagoi ashpër, duke mbrojtur lojtarët e tij dhe duke theksuar rëndësinë e ndeshjes.
“Njerëzit mund të thonë çfarë të duan, gjëra të kota, por ata festuan sepse e dinin vlerën e kundërshtarit”, u shpreh Guardiola.
Ai theksoi se fitorja kishte rëndësi të madhe në garën për titull dhe se skuadra e tij e trajtoi si një “finale”.
“E dinim që nëse nuk fitonim, do të ishim jashtë garës. Fituam dhe jemi ende në luftë. Si mund të mos festonin?”, shtoi ai.
Guardiola mbrojti gjithashtu emocionet e lojtarëve, duke thënë se futbolli është për të jetuar momentin dhe se çdo fitore e rëndësishme meriton festim.
Flaka
















