Hoeneß mbyll derën për Real Madridin: As nuk e diskutojmë largimin e Michael Olise
Presidenti i nderit i Bayern Munich, Uli Hoeneß, ka hedhur poshtë kategorikisht zërat që lidhin Michael Olise me një transferim te Real Madridi, duke bërë të qartë se bavarezët nuk kanë ndërmend të negociojnë për yllin francez.
Hoeneß u shpreh se raportimet për interesimin e klubit madrilen e kanë bërë vetëm të qeshë, pasi Olise ka ende tre vite kontratë me Bayernin dhe largimi i tij nuk është aspak në tavolinë.
“Kam qeshur me të madhe. Olise ka edhe tre vite kontratë, kështu që për mua Real Madridi nuk është fare temë,” deklaroi ai.
Zyrtari i Bayernit shtoi se klubi nuk do të pranonte të diskutonte asnjë ofertë për Olise, madje as nëse do të vinte nga “Perandori i Kinës”, duke përfshirë në të njëjtën kategori edhe Luis Díaz.
“Edhe sikur të vinte Perandori i Kinës, ne nuk do të bisedonim për Olise. E njëjta gjë vlen edhe për Luis Díaz.”
Në fund, Hoeneß theksoi se Bayerni beson se posedon treshen më të mirë sulmuese në futbollin botëror.
“Ne kemi treshen më të mirë të sulmit në botë me Olise, Luis Díaz dhe Harry Kane. Nuk do ta mendonim kurrë shitjen e asnjërit prej tyre.”
Deklaratat e tij dërgojnë një mesazh të qartë se Bayern Munich nuk ka ndërmend të heqë dorë nga yjet e skuadrës, pavarësisht interesimit të klubeve më të mëdha evropiane.
Flaka
















