Hudhra – superushqimi me vlera të larta, por edhe me kufizime në përdorim
Hudhra mund të mos jetë ndër erëzat më të preferuara për shkak të aromës së saj të fortë, por ajo konsiderohet një nga ushqimet me vlera të jashtëzakonshme ushqyese dhe shëndetësore.
Ajo përmban veti antibakteriale dhe anti-inflamatore, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e qarkullimit të gjakut, luftimin e plakjes së parakohshme dhe uljen e rrezikut të disa sëmundjeve serioze, përfshirë edhe disa lloje tumoresh.
Hudhra është e pasur me substanca ushqyese si azot, natrium, kalium, selen, kalcium, magnez, fosfor, si dhe vitamina C, D dhe B, të cilat kontribuojnë në forcimin e sistemit imunitar dhe luftimin e baktereve.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i saj nuk është i përshtatshëm për të gjithë në të njëjtën mënyrë.
Tek gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë me gji, hudhra rekomandohet vetëm në sasi të zakonshme ushqimore, ndërsa dozat medicinale mund të mos jenë të sigurta.
Te fëmijët, konsumimi në sasi të mëdha mund të jetë i rrezikshëm dhe në disa raste mund të shkaktojë efekte të padëshiruara, përfshirë irritime të lëkurës nëse aplikohet në mënyrë direkte.
Personat me çrregullime të gjakderdhjes duhet të tregojnë kujdes, pasi hudhra mund të rrisë rrezikun e gjakderdhjes, ndërsa tek ata me probleme të stomakut mund të shkaktojë irritim të traktit tretës.
Gjithashtu, hudhra mund të ulë tensionin e gjakut, ndaj duhet kujdes te personat me hipotension, si dhe duhet shmangur para ndërhyrjeve kirurgjikale, pasi mund të ndikojë në mpiksjen e gjakut.
Ekspertët rekomandojnë konsum të moderuar dhe të kontrolluar të hudhrës për të përfituar maksimalisht nga vlerat e saj pa rrezikuar shëndetin.
Flaka










