Kafeja dhe ndikimi i saj në stres: çfarë ndodh në trupin tonë
Kafeja, një nga pijet më të konsumuara në botë, vazhdon të jetë në fokus të studimeve shkencore për efektet e saj në organizëm. Sipas kërkimeve të fundit, kafeina mund të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e vigjilencës, por njëkohësisht edhe në nivelin e kortizolit – hormonit të stresit.
Ekspertët shpjegojnë se konsumimi i kafesë mund të rrisë sekretimin e kortizolit në trup, veçanërisht në mëngjes, kur ky hormon është natyralisht në nivel më të lartë. Kombinimi i kafeinës me këtë “pikë mëngjesi” mund të çojë në rritje edhe më të madhe të tij.
Ndryshimet e përkohshme të kortizolit konsiderohen normale, por rritja e vazhdueshme dhe e tepruar mund të lidhet me probleme shëndetësore. Gjithashtu, kafeina mund të shkaktojë simptoma si rrahje të shpejta të zemrës, nervozizëm, pagjumësi dhe shqetësime në stomak.
Për të reduktuar efektet negative, specialistët sugjerojnë shtyrjen e filxhanit të parë të kafesë më vonë gjatë ditës, kufizimin gradual të konsumit dhe zëvendësimin me alternativa si çajra bimorë, ujë ose kafe pa kafeinë. Po ashtu, rekomandohen mënyra natyrale për uljen e stresit si aktiviteti fizik, gjumi i rregullt, meditimi dhe kalimi i kohës në natyrë.
Flaka










