Katër gabimet që po ju pengojnë të humbni peshë
Ndjekja e një regjimi ushqimor të shëndetshëm kërkon më shumë se thjesht kufizim kalorish. Sipas ekspertëve të ushqyerjes, suksesi në një dietë lidhet ngushtë me mendësinë, aktivitetin fizik dhe një plan ushqimor të balancuar që plotëson nevojat e organizmit.
Megjithatë, shumë persona që nisin dieta për humbje peshe bëjnë disa gabime të zakonshme që pengojnë rezultatet.
Një nga gabimet kryesore është zgjedhja e produkteve “të lehta”. Edhe pse ato reklamohen si me pak kalori, shpesh përmbajnë sheqer ose yndyra të fshehura. Për shembull, pijet pa sheqer mund të kenë ëmbëlsues artificialë, ndërsa lëngu i portokallit, ndonëse natyral, mbetet i pasur me sheqer kur konsumohet pa fibra.
Gabimi i dytë është privimi i plotë nga ushqimet e preferuara. Specialistët theksojnë se kufizimi ekstrem i ëmbëlsirave mund të çojë në dëshirë më të madhe për to, duke e bërë dietën të vështirë për t’u ndjekur. Konsumi i moderuar i çokollatës së zezë, për shembull, mund të jetë një zgjidhje më e qëndrueshme.
Një tjetër gabim i shpeshtë është qëndrimi i gjatë në uri. Dieta e shëndetshme nuk duhet të bazohet në urie, por në vakte të rregullta me ushqime natyrale si fruta, perime dhe proteina të shëndetshme. Marrja e 3 ose më shumë vakteve të balancuara ndihmon në kontrollin e peshës dhe energjisë gjatë ditës.
Së fundi, ekspertët paralajmërojnë për dietat e marra nga interneti pa konsultë profesionale. Jo çdo regjim ushqimor është i përshtatshëm për çdo individ, ndaj rekomandohet gjithmonë këshillimi me një specialist përpara ndryshimeve të mëdha në ushqyerje.
Flaka
















