Këshilltarët e BDI-së: Donacioni serb hyri fshehurazi në Këshillin Komunal me urdhër të Kasamit
Grupi i këshilltarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Këshillin Komunal të Tetovës ka reaguar në lidhje me shumëpërfolurin donacion prej 800 mijë euro, dhënë nga kompania serbe UNIPROMET. Në një deklaratë publike, ata thonë se janë manipuluar nga kryetari Bilall Kasami dhe se janë vendosur përballë një vendimi të njëanshëm, pa u informuar paraprakisht.
“E vërteta duhet të dihet”, thuhet në reagimin e BDI-së. “Ne këshilltarët e BDI-së e kemi për obligim ta shpalosim të vërtetën mbi donacionin prej 800.000 euro të kontrabanduar në mënyrë klandestine në Këshillin Komunal me datë 14.03.2025.”
Sipas deklaratës së publikuar, BDI pretendon se materiali mbi donacionin nuk u është dorëzuar në kohë, siç e kërkon rregullorja e Këshillit.
“Propozuesi i pikës, në këtë rast Bilall Kasami, ishte i obliguar të na dorëzojë materialet minimum 7 ditë përpara seancës. Kjo nuk ka ndodhur,” thuhet në reagim.
Sipas tyre, çështja është futur në Komision vetëm një ditë para seancës, më 13 mars, dhe për shkak të mungesës së dokumentacionit, këshilltari Veton Murati është shprehur “i përmbajtur”.
Pavarësisht kësaj, BDI pohon se gjatë seancës më 14 mars kanë kërkuar sqarime shtesë.
“Këshilltari ynë Veton Murati kërkoi sqarim për qëllimet e kompanisë dhe nëse kishte ndonjë kompensim të fshehur. Bilall Kasami na siguroi gojarisht se nuk ka asgjë pas këtij donacioni dhe se duhet ta votojmë si një donacion dashamirës.”
Në bazë të kësaj deklarate, këshilltarët e BDI-së votuan pro, siç thonë, në frymën e mbështetjes për çdo donacion në të mirë të qytetit.
Por, ata akuzojnë se më vonë është bërë një përpjekje për të fshehur gjurmët.
“Komuna e Tetovës e ka hequr videon e seancës së 48 nga faqja zyrtare, pikërisht për të fshehur se çfarë është thënë dhe si është manipuluar me informacionin,” thonë këshilltarët e BDI-së.
Ata gjithashtu pretendojnë se askush nga këshilltarët, përfshirë ata të Lëvizjes Besa, nuk ka qenë i vetëdijshëm për përkatësinë serbe të kompanisë donatore.
“Jemi të bindur se askush nuk ka qenë në dijeni për qëllimet e fshehura të Kasamit dhe për çmimin që Tetova duhet të paguaj nga pranimi i një donacioni me kapital 100% serb.”
Në fund, BDI thekson se mbetet “zëri i arsyes” në Këshillin Komunal dhe do të vazhdojë të veprojë me transparencë dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Mes seancave të fshira janë prej asaj 46 deri në 52, ndërkaq në seancën e 48, kur edhe është debatuar për donacionin nga kompania serbe, nuk figuron në faqen e Komunës. Flaka
















