Krejt çka u tha sot nga zëvendëskryeministri Arben Fetai në konferencën për media
VIDEO 1 / VIDEO 2 – Zëvendëskryeministri Arben Fetai, në një konferencë për media, reagoi pas shkarkimit të tij dhe disa anëtarëve të tjerë nga krahu i Arben Taravarit brenda Aleancës për Shqiptarët (ASH), transmeton Flaka. Ai theksoi se grupi që përfaqëson do të vazhdojë si partner i barabartë në koalicionin VLEN, duke ruajtur të njëjtin profesionalizëm dhe dedikim.
“Aleanca nuk dorëzohet, Aleanca as nuk shitet. Aleanca qëndron e fortë. Vazhdojmë si partnerë të barabartë në VLEN, duke i shërbyer qytetarëve me nder dhe vendosmëri,” tha Fetai, duke falënderuar aktivistët për përkrahjen e tyre të palëkundur.
Fetai kritikoi ashpër zhvillimet e fundit në ASH, duke e cilësuar bashkëpunimin e Taravarit me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, si një marrëveshje për pushtet dhe mbijetesë politike. Ai tha se tentativa për të shkaktuar krizë politike ka dështuar dhe nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, por zgjedhje lokale me dy blloqe të qarta politike.
“Kryetari ynë e ka trasuar rrugën drejt Ali Ahmetit. Ne ju urojmë fat, por jemi të bindur se VLEN do të fitojë në çdo komunë,” deklaroi Fetai.
Ai i cilësoi përjashtimet dhe mbledhjet e fundit si të paqena dhe në kundërshtim me statutin e partisë.
“Këto kuvende të ashtuquajtura nuk përfaqësojnë frymën e ASH-së. Ne nuk i dorëzohemi pazareve të natës dhe nuk lejojmë që vota e qytetarëve të kontrabandohet,” shtoi ai.
Në fjalën e tij, Fetai u ndal edhe te etiketimet që u bënë ndaj grupit të ASH-së që vendosi të mbetet në VLEN, duke shprehur keqardhje për “artanizimin” e disa shokëve të tij, duke iu referuar me ironi figurave që sipas tij po i shërbejnë interesave të ngushta politike.
“Unë valixhet i kam marrë për të ardhur nga Belgjika, jo për të ikur. Do të qëndrojmë dhe do ta bëjmë betejën për të cilën kemi marrë 107 mijë vota,” përfundoi Fetai.
Ai tha se Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të jetë pjesë e qeverisjes dhe reformave, duke kontribuar aty ku merren vendime dhe bëhen ndryshime.