Lamine Yamal: Nuk dua gola, dua trofe me Spanjën
Ylli i ri i Spanjës, Lamine Yamal, ka folur për gjendjen e tij fizike, minutat që pritet të luajë dhe objektivat e kombëtares spanjolle në Kupën e Botës.
Sulmuesi 18-vjeçar zbuloi me humor se arsyeja e fytyrës së tij serioze në stërvitjen e fundit ishte mungesa e gjumit, pasi kishte luajtur videolojëra gjatë gjithë natës.
“Kam luajtur videolojëra gjithë natën, prandaj ndihesha i përgjumur”, tha Yamal duke qeshur.
Talenti spanjoll theksoi se nuk është ende momenti për të luajtur një ndeshje të plotë, pasi po kalon një proces adaptimi dhe do të respektojë vendimet e trajnerit.
“Është shumë herët dhe nuk ka nevojë të luaj 90 minuta. Do të luaj aq minuta sa të dëshirojë trajneri”, u shpreh ai.
Yamal foli edhe për stilin e tij të lojës, duke theksuar se prioriteti i tij është suksesi i ekipit dhe jo statistikat personale.
“Nuk dua të shënoj 16 gola dhe më pas të eliminohemi në gjysmëfinale. Unë dua të fitoj dhe të shijoj futbollin në fushë”, deklaroi ai.
Lidhur me barazimin ndaj Cape Verde, lojtari i Spanjës minimizoi rëndësinë e rezultatit, duke kujtuar se shumë skuadra favorite kanë humbur pikë në ndeshjet e para.
“Barazimi nuk do të thotë asgjë. Tani duhet të fitojmë, sepse jemi ndër favoritët dhe duhet ta tregojmë këtë në fushë”, tha Yamal.
Në fund, ai falënderoi tifozët për mbështetjen dhe premtoi se Spanja do të japë maksimumin në ndeshjen e ardhshme për të siguruar fitoren.
Flaka
















