Lautaro Martínez i del në mbështetje Julián Álvarez: “Është një nga më të mirët në botë”
Lautaro Martínez ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për Julián Álvarez, duke pranuar se sulmuesi argjentinas po kalon një periudhë të vështirë.
Në një deklaratë për El Chiringuito, Lautaro zbuloi se ka komunikuar personalisht me Álvarez dhe i ka dërguar një mesazh për t’i treguar mbështetjen e tij.
“Kam folur me Julián për situatën e tij. I dërgova një mesazh dhe i tregova gjithë mbështetjen time, sepse përtej faktit që luajmë dhe konkurrojmë për të njëjtin pozicion në kombëtare, ai është një mik”, u shpreh sulmuesi i Interit.
Lautaro pranoi se periudha që po kalon Álvarez nuk është aspak e lehtë, ndërsa theksoi se vendimi për të ardhmen e tij i takon presidentit të klubit.
“Momenti që ka kaluar dhe po kalon nuk është i lehtë, por vendimi është në duart e presidentit të klubit të tij”, shtoi ai.
Në fund, Lautaro i uroi më të mirat bashkëkombësit të tij dhe shpresoi që ai të rikthehet sa më shpejt në formën e tij më të mirë.
“I uroj gjithë të mirat dhe shpresoj që të bëhet më mirë së shpejti dhe të vazhdojë të bëjë e të tregojë atë që ka treguar deri tani, sepse është një nga më të mirët në botë”, përfundoi Lautaro.
Flaka












