Manchester United vendos objektivin e madh: Titulli i Premier League para vitit 2028
Drejtori ekzekutiv i Manchester Unitedit, Omar Berrada, ka zbuluar objektivat ambicioze të klubit për vitet e ardhshme, duke vendosur si synim kryesor fitimin e titullit të 21-të kampion në Premier League para vitit 2028.
Në kuadër të projektit “Project 150”, Berrada deklaroi se klubi dëshiron të rikthehet sa më shpejt në majën e futbollit anglez.
“Një nga objektivat që kemi vendosur është të fitojmë Premier League-n, titullin e 21-të, para vitit 2028. Në mënyrë ideale, do të donim ta arrinim që sezonin e ardhshëm, por nëse jo, atëherë sezonin pasues”, u shpreh ai.
Berrada theksoi gjithashtu se drejtuesit e klubit kanë besim të plotë te projekti aktual sportiv, duke vlerësuar trajnerin, lojtarët dhe strukturën që është ndërtuar rreth ekipit të parë.
“Besojmë se kemi trajnerin e duhur, lojtarët e duhur dhe organizimin e duhur për të konkurruar në Ligën e Kampionëve, për t’u afruar me garën për titullin e Premier League-s dhe për të pasur sukses edhe në kupat vendase”, shtoi ai.
Një pjesë e rëndësishme e deklaratave të tij iu kushtua edhe trajnerit Michael Carrick, për të cilin shprehu mbështetje të plotë.
“Ai është dikush që e do klubin, i kupton vlerat e tij dhe di shumë mirë të menaxhojë njerëzit. Kemi parë reagimin pozitiv të lojtarëve ndaj tij. Mendoj se e ka fituar të drejtën të vazhdojë ta udhëheqë ekipin për dy vitet e ardhshme, ose edhe më gjatë. Është shumë i qetë, por njëkohësisht jashtëzakonisht i motivuar”, deklaroi Berrada.
Me këto deklarata, Manchester United ka bërë të qartë se rikthimi në majën e futbollit anglez mbetet prioritet absolut për vitet në vijim.
Flaka
















