Mbappé: Do të votoja për veten time për “Topin e Artë”
Kylian Mbappé ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me garën për “Ballon d’Or”, duke thënë se, nëse do të kishte të drejtë vote, do të zgjidhte veten.
Në një intervistë për L’Équipe, ylli francez argumentoi se çmimi është individual dhe se duhet të vlerësohet mbi të gjitha performanca e futbollistit gjatë sezonit.
“Për kë do të votoja për ‘Ballon d’Or’? Do të votoja për veten time”, u shpreh Mbappé.
Sulmuesi i Real Madridit theksoi se fakti që një lojtar nuk ka fituar trofe nuk duhet të jetë faktori i vetëm në përcaktimin e fituesit.
“Është një çmim individual. Duhet të shohim se çfarë ka bërë lojtari individualisht. Njerëzit thonë se nuk kam fituar trofe, por nuk kam parë asnjë fitues të ‘Ballon d’Or’ që të ketë përmbushur çdo kriter”, deklaroi ai.
Mbappé vuri gjithashtu në pah rekordet e tij individuale, veçanërisht paraqitjet dhe golat në kompeticionet më të mëdha të futbollit.
“Të jesh golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës është diçka që mbetet në mendjen e njerëzve. Të jesh golashënuesi më i mirë në të gjitha kompeticionet më të mëdha, ku luajnë lojtarët më të mirë, në Champions League dhe në Kupën e Botës, nuk e di nëse dikush e ka bërë më parë”, tha francezi.
Në fund, Mbappé u shpreh se arritjet historike duhet të shpërblehen, duke shtuar se nuk do ta konsideronte të padrejtë nëse do të fitonte çmimin.
“Besoj se të bësh histori duhet të shpërblehet gjithmonë. Kur shikoni argumentet e mia dhe atë që kanë bërë lojtarët e tjerë këtë vit, do të thoja se nuk do t’i merrja asgjë askujt nëse do ta fitoja. Por i kuptoj edhe ata që nuk pajtohen. Nuk është diktaturë dhe secili ka mendimin e tij për ‘Ballon d’Or’”, përfundoi Mbappé.
Flaka












