Mexhiti po riciklon bixhozin – ASH: Nuk mbyllet, vetëm legalizohet
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekologjisë, Izet Mexhiti, ka nisur të sulmojë opozitën me akuza boshe, duke pretenduar se “kritikojmë ligje që nuk i kemi lexuar.” Por, siç thekson Aleanca për Shqiptarët, pyetja e vetme që lind është: A e ka lexuar vetë Izet Mexhiti Ligjin për Lojërat e Fatit?
“Nëse e ka lexuar dhe përsëri del në opinion për të thënë se ky ligj do ta mbyllë bixhozin, atëherë po mashtron hapur ose nuk e kupton çfarë firmos,” thekson reagimi i ASH-së.
Sipas opozitës shqiptare, ky ligj nuk mbyll asgjë. Përkundrazi, ai garanton vazhdimësinë e industrisë së bixhozit në një formë të rregulluar, nën mbikëqyrje të strukturave që, siç thonë ata, “janë tashmë të kapura.”
“Ky nuk është ligj kundër bixhozit, por një rikonstruktim i perandorisë së lojërave të fatit, të lidhur ngushtë me oligarkë që në mënyra të ndryshme rezultojnë bashkëpunëtorë të vetë Izet Mexhitit,” thuhet në deklaratë.
Një nga pikat më të kritikuara është përjashtimi i basteve nga ndalesa për afërsinë me shkollat.
“Nëse Izet Mexhiti do të ishte vërtet kundër bixhozit, nuk do të lejonte që bastoret të qëndrojnë pranë shkollave,” thekson ASH-ja.
“Ligji i ri e ndalon distancën vetëm për kazinotë dhe lojërat elektronike, por bastoret janë përjashtuar. Ato mund të vazhdojnë të funksionojnë pranë shkollave pa asnjë problem.”
ASH ngre edhe shqetësimin për mënyrën e matjes së distancës:
“Nëse flet për distancën prej 500 metrash, duhet të sqarojë pse matja i lihet kompanive private, dhe jo institucioneve shtetërore, komunave apo vetë shkollave. Ky është mashtrim i pastër,” thuhet në reagim.
Sipas opozitës, edhe Lotaria Shtetërore është kthyer në një vegël klienteliste, e përdorur për interesa politike dhe personale.
“Emërimi i Ahmet Miftarit si zëvendësdrejtor, të cilin vetë Mexhiti e paraqiti si kuadër të VMRO-së, është në fakt një bashkëpunëtor i afërt i vetë Mexhitit dhe kuadër i Lëvizjes Demokratike. Për më tepër, përfshirja e familjarëve të tij në Bordin e Lotarisë tregon qartë se institucioni është kapur plotësisht,” thekson ASH.
Partia përmend edhe heshtjen e ministrit për shkatërrimin e pyjeve në malin Kozhuf:
“Heshtja e Mexhitit në rastin e shkatërrimit të pyjeve në malin Kozhuf është një tjetër dëshmi e lidhjeve të tij me industrinë e bixhozit. Kompania ‘Sportlife’, në pronësi të oligarkut Gjoko Sterjoski, po shkatërron hapur ekosistemin dhe biodiversitetin në atë zonë, ndërsa ministri nuk flet asnjë fjalë. Kjo nuk është pasivitet, kjo është kompromis,” thekson opozita.
Në përfundim, Aleanca për Shqiptarët e konsideron retorikën e Mexhitit për “luftë kundër bixhozit” si mashtrim klasik:
“Ai nuk është armik i bixhozit, por garantuesi i tij më i heshtur. Dhe ky ligj që ai po mbron nuk e ndalon industrinë, por e sistemon atë në mënyrë që të vazhdojë të funksionojë për vite të tëra, nën kontrollin e po të njëjtëve oligarkë dhe struktura të kapura.”
Kërkesa e ASH-së është e qartë:
“Mbyllje reale, të pakushtëzuar dhe të menjëhershme të të gjitha formave të bixhozit pranë shkollave dhe zonave të banuara. Jo me përjashtime, jo me kritere të rreme dhe as me matje nga kompani private. Ky është minimumi që duhet të garantojë një shtet normal.”
“Në vend të transparencës kemi klientelizëm. Në vend të reformës kemi riciklim figurash të vjetra. Në vend të mbrojtjes së interesit publik kemi kapje të institucioneve dhe heshtje të blerë. Dhe në qendër të kësaj hipokrizie është Izet Mexhiti,” përmbyll Aleanca për Shqiptarët. Flaka
















