Mickoski: Fetai dhe Mexhiti të kërkojnë falje nëse kanë përdorur veturat zyrtare për qëllime partiake
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka kërkuar sot nga zëvendëskryeministrat Arbën Fetai dhe Izet Mexhiti të kërkojnë ndjesë nëse kanë përdorur veturat zyrtare për aktivitete partiake. Ai reagoi pas raportimeve se para rreth dhjetë ditësh, veturat zyrtare të të dy funksionarëve janë parë të parkuara rreth orës 23:00 afër qendrës tregtare “Mavrovka”, shumë pranë selisë së koalicionit VLEN, transmeton Flaka
Sipas Mickoskit, nëse automjetet janë përdorur për qëllime private apo partiake, atëherë Fetai dhe Mexhiti duhet t’u kërkojnë falje qytetarëve për keqpërdorimin e resurseve shtetërore.
“Nëse kanë qenë në ndonjë takim që ka të bëjë me politikat qeveritare, atëherë në rregull. Pres që ata të japin përgjigje, por edhe unë do t’i pyes,” deklaroi Mickoski gjatë inaugurimit të një pishine të mbyllur në komunën e Kisella Vodës.
Nga ana tjetër, kryetari i Tetovës dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, u përpoq ta relativizojë situatën, duke thënë se takimi ka qenë në funksion të pozitave institucionale të Fetait dhe Mexhitit. Kasami shtoi se nuk beson se ata janë takuar për çështje politike pa praninë e tij. Flaka
















