Milani në dilemë për Ardon Jasharin, oferta nga Bundesliga
E ardhmja e mesfushorit Ardon Jashari te Milani mbetet e pasigurt, ndërsa gjatë merkatos së verës mund të ketë zhvillime të rëndësishme rreth tij.
Jashari iu bashkua Milanit me pritshmëri të larta në një transferim që i kushtoi klubit rreth 39 milionë euro. Drejtuesit kuqezi, përfshirë Igli Tare dhe Gerry Cardinale, kishin besim të madh te potenciali i mesfushorit të lindur në vitin 2002, por deri tani paraqitjet e tij nuk kanë arritur nivelin e pritur.
Megjithatë, brenda klubit ende ekziston besimi se Jasharit i duhet kohë për t’u përshtatur plotësisht me ritmin e futbollit italian dhe kërkesat e Serie A.
Situata në mesfushën e Milanit mund të ndryshojë ndjeshëm gjatë verës, pasi disa largime të mundshme pritet të krijojnë hapësira të reja në repart. Kjo e bën Jasharin një profil që klubi ende e konsideron për të ardhmen, pavarësisht paqëndrueshmërisë së deritanishme.
Nga ana tjetër, interesimi për lojtarin nuk mungon. Skuadra nga Bundesliga dhe disa klube të tjera në Itali po monitorojnë situatën e tij, ndërsa së fundmi edhe Como ka kërkuar informacion për kushtet e një transferimi të mundshëm.
E ardhmja e Ardon Jasharit mbetet e hapur dhe pritet të jetë një nga temat kryesore të Milanit gjatë kësaj merkatoje verore.
Flaka
















