Mourinho për Arbeloan: “Është si djali im, e uroj për një karrierë të madhe si trajner”
Jose Mourinho ka folur me fjalë shumë emocionale për ish-lojtarin e tij te Real Madridi, Álvaro Arbeloa, në prag të ndeshjes së Ligës së Kampionëve mes Benficës dhe Real Madridit, që zhvillohet të mërkurën.
Trajneri portugez, i cili ka punuar me Arbeloan gjatë periudhës së tij te klubi madrilen, e cilësoi atë jo vetëm si një ish-lojtar, por si pjesë të familjes së tij.
“Për mua, Álvaro është si një nga djemtë e mi, jo thjesht një ish-lojtar. Ai është një nga lojtarët e mi të preferuar. Nuk ishte lojtari më i mirë që kam stërvitur te Real Madridi, por padyshim ishte ndër më të mirët”, u shpreh Mourinho.
I njohur për karakterin e fortë dhe disiplinën, Arbeloa gëzon respektin maksimal të Mourinhos, i cili theksoi se ai është personi i fundit që do ta kritikonte ndonjëherë.
“Ai është njeriu i fundit që do ta kritikoja. I uroj gjithë të mirat dhe shpresoj të ketë një karrierë të mrekullueshme si trajner”, shtoi tekniku portugez.
Deklaratat e Mourinhos vijnë në një moment simbolik, përpara një përballjeje të rëndësishme evropiane, duke rikthyer vëmendjen te lidhja e veçantë mes trajnerit dhe ish-mbrojtësit spanjoll.
Flaka
















