Ndërtim i egër në Bit Pazar? Kryetarja e Shkupit përplaset me Kryetarin e Çairit
Arsovska dhe Ganiu në konflikt për ndërtimet në Çair
Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, këtë mëngjes doli në terren për të inspektuar ndërtimet e dyshuara të paligjshme pranë urës së Bit Pazarit, në Komunën e Çairit, shkruan Flaka. Ajo transmetoi drejtpërdrejt në Facebook për gati një orë, teksa bisedonte me një person që po vendoste një tualet të lëvizshëm në atë zonë.
Sipas Arsovskës, ndërtimet kanë nisur pa leje dhe janë të rrezikshme për sigurinë e qytetarëve. “Ky objekt është ndërtim i egër. Pas kallëzimit të qytetarëve dhe fqinjëve, kemi ardhur në vendin ku tashmë është ndërtuar baza e dytë. Gërmimet janë të thella dhe rrezikojnë jetën e banorëve”, deklaroi ajo.
“Lëvizja Demokratike tregoi kriminelit Visar Ganiu së bashku me Izet Mexhitin që të vijnë këtu. Dje ishte Rakip Doçi në Qytetin e Shkupit, në cilësinë e zëdhënësit që tentoi t’i përmirësojë gabimet e tyre. Thuajuni le të vijnë këtu, nëse janë burra, le të vijnë, jemi duke i pritur. Të gjithë ata njerëz që i ke në Komunë po t’i lëshosh që të kërcënohen pak janë. Jemi 30 veta këtu dhe presim që të vish. Lëshoje të gjith VLEN-in, adresoj këtu që të pështyjnë mbi mua nëse nuk kanë turp, nuk ndryshon asgjë, je kriminel, lejon ndërtime pa leje, dhe paraqitesh në konferencë vetëm atëherë kur të kapin se bën diçka që e ke të ndaluar”, tha Arsovska.
Ndonëse, Arsovska tha se ka ndalur ndërtimin e objekteve pa leje, Ganiu thotë se Inspektorati i Qytetit të Shkupit nuk ka vepruar tashmë tre vjet e gjysmë.
Ganiu shtoi se për tre vite e gjysmë Arsovska nuk ka shkelur në Çair dhe nuk ka bërë asnjë investim për këtë komunë.
“Më vjen mirë që zonja Arsovska pas tre viteve e gjysmë viziton Çairin. Kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që të veprohet për ndërtimet e paligjshme, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, tha Ganiu.
Përplasja mes dy zyrtarëve mori edhe më shumë vëmendje kur Arsovska i bëri thirrje live në Facebook Ganiut për ballafaqim të menjëhershëm, gjë që ai e refuzoi duke thënë se ajo po manipulohet me kohën, pasi ishte i angazhuar në një tjetër ngjarje të paralajmëruar më parë. Ai shtoi se për gati tre vite, kryetarja e Shkupit nuk ka ftuar asnjëherë kryetarët e komunave në takim.
Pavarësisht përplasjes publike, Arsovska tha se është e gatshme të takohet me Ganiun kurdo që ai vendos kohën dhe vendin. Ajo vazhdoi vizitën në zona të tjera të Komunës së Çairit për të treguar ndërtime të tjera që, sipas saj, janë pa dokumentacion përkatës.
Se në Çair ka ndërtime pa leje nuk thuhet për herë të parë, në media ka pasur shpesh raportime për mënyrën se si në Çair ndërtohen objektet e më pastaj legalizohen. Për më tepër Ganiu dhe Mexhiti u akuzuan edhe për keqpërdorim të numrave arkivorë, duke i legalizuar objektet e reja si të ndërtuara në vitin me të cilin përputhet ligji i fundit për legalizim të objekteve pa leje.
Beteja nisi nga kontesti me mbeturinat
“Ma dërguan një video ku me një lagje kanë qenë 6 kontejnerë, i kanë hequr i kanë lënë 3. E mbrëmë vini t’i mbledhin mbeturinat, 2 i marrin, njërin e lënë të plotë dhe përreth çka ka refuz e lënë aty”, tha Visar Ganiu.
Videoja për të cilën po flet kryetari i Çairit Visar Ganiu, është kjo, të cilën TV21 e siguroi po nga kabineti i tij.
Kryetari i Çairit akuzon Qytetin e Shkupit, të drejtuar nga Danella Arsovska, se krejt këto i bëjnë me qëllim që komunën e Çairit ta nxjerrin në formë sa më të zymtë, por kryetarja e Qytetit tregon një gjë tjetër.
“Le të merret ai me kontejnerët. Ka dalë në press dje sepse e kemi kapur! Ku ishte që të dilte në press më herët?! Sepse mbledh mbeturina dhe i hedh në kontejnerët tanë. Mbledh mbeturina dhe krijon deponi të egra përskaj tonave… Ne nuk mund të pastrojmë sa ata mund të ndotin bre…”, tha Danella Arsovska.
E pyetur për deklaratat e Ganiut se Ndërmarrja Komunale nuk punon me kapacitet të plotë në Çair, Arsovska me kundërakuzë.
“E pse nuk u thotë këshilltarëve të tij të votojnë që të punohet me kapacitet të plotë?! Këshilltarët e tij vijnë, nënshkruhen, dhe ikin. Marrin 600 euro”, deklaroi Arsovska.
Po Ganiu mohon dhe i kundërpërgjigjet se po merren me politikë në dëm të Çairit.
“Dëshmi praktike keni, prej 530 kontejnerëve, sot i kemi 320! 210 kontejnerë i kanë larguar prej Çairit. Këshilltarët tanë e bëjnë këtë?! Jo! E bën politika e saj. Kanë hyrë në ujëra ta dëmtojnë komunën e Çairit”, deklaroi Ganiu.
Dy ditë më parë Komuna e Çairit ndërmori nismë për pastrimin e mbeturinave, për siç shprehej Ganiu, ta ndihmonte dhe të mbështeste Qytetin e Shkupit në grumbullim. Iniciativa u ndërpre nga Qyteti i Shkupit, me arsyetimin se menaxhimi i mbeturinave është kompetencë e Qytetit dhe jo Komunës Çair. Flaka