Noah Lang gati për Serie A – “Me Conten do të bëhem më i fortë”
Sulmuesi holandez Noah Lang, përforcimi më i ri i Napolit, ka dhënë një intervistë për Radio CRC, ku ka folur për përshtatjen e tij në Serie A, punën me Antonio Conte dhe pritshmëritë për sezonin e ri.
Lang theksoi se nuk ka frikë nga sfidat, përkundrazi, i pëlqen të dalë nga zona e rehatisë:
“Të punosh me Conte është fantastike. Më pëlqen të dal nga zona ime e rehatisë – në Holandë intensiteti i lojës ishte më i ulët. Ky lloj pune është pikërisht ajo që më duhet për t’u bërë një lojtar më i mirë, më i plotë dhe më i fortë.”
Ai shtoi se stërvitjet janë të lodhshme, por të nevojshme për të arritur formën e duhur:
“Ndihem pak i lodhur, por kjo është normale për parasezonin. Mendoj se stërvitja po shkon shumë mirë dhe po përshtatem. Mezi pres që të fillojë sezoni.”
Lang, i cili u transferua nga PSV Eindhoven për një shumë prej €28 milion, ka shënuar 11 gola dhe ka dhuruar 10 asistime në sezonin e fundit në Eredivisie. Ai është pjesë e një merkatoje ambicioze të Napolit, ku janë afruar edhe Kevin De Bruyne dhe Lorenzo Lucca, ndërsa Conte po ndërton një skuadër me synime të qarta për titullin.
Flaka
















