Pak para zgjedhjeve – MPB shpall konkurs për pranimin e 150 policëve të rinj
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka shpallur publikisht konkursin për pranimin e 150 nëpunësve të rinj policorë në kuadër të Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup, njofton Flaka.
Fushata “Bëhu polic” synon të përfshijë të rinj dhe të reja që kanë ndershmëri, guxim, solidaritet dhe përkushtim për të shërbyer në mbrojtjen e qytetarëve dhe zbatimin e ligjit.
“Bëhu human. Krijo rend. Mbroji qytetarët. Nëse këto janë kapacitetet e tua njerëzore, atëherë policia është zgjidhja e duhur për ty”, thuhet në shpalljen publike të MPB-së.
Kushtet për kandidatët
Kandidatët duhet të plotësojnë këto kushte të përgjithshme:
- Të jenë shtetas të Maqedonisë së Veriut;
- Të mos jenë më të vjetër se 25 vjeç në momentin e aplikimit;
- Të kenë përfunduar arsim të mesëm 4-vjeçar;
- Të përdorin në mënyrë aktive gjuhën maqedonase dhe shkrimin cirilik;
- Të kenë integritet moral dhe të mos kenë ndalesë për ushtrim profesioni;
- Të mos jenë anëtarë të partive politike apo strukturave të tyre;
- Të kenë kaluar testin e integritetit dhe kontrollin e sigurisë.
Kushtet fizike dhe dokumentet e nevojshme
Për meshkujt kërkohet lartësi minimale prej 170 cm, për femrat 160 cm, si dhe përgatitje e lartë fizike personale.
Dokumentet që duhet dorëzuar përfshijnë:
- Certifikatë lindjeje;
- Diplomë për përfundimin e shkollës së mesme;
- Dy fotografi (3.5 x 4.5 cm);
- Deklaratë që vërteton se kandidati nuk është pjesë e ndonjë partie politike.
Dokumentacioni dorëzohet personalisht në sektorët përkatës të punëve të brendshme në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Manastir, Veles, Shtip, Ohër dhe qytete të tjera, çdo ditë pune prej orës 08:00 deri në 16:00, brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e nesërme e shpalljes.
Procesi i përzgjedhjes: test fizik, psikologjik dhe intervistë
Përzgjedhja kalon në disa faza të detajuara, përfshirë:
- Vlerësim i dokumentacionit;
- Test motorik (pompa, bark, kërcim, sprint, vrapim);
- Test psikologjik dhe i integritetit;
- Test me shkrim (njohuri të përgjithshme);
- Intervistë me komisionin;
- Kontroll sigurie dhe kontroll shëndetësor.
Kandidatët që kalojnë me sukses të gjitha fazat do të nënshkruajnë kontratë për ndjekjen e trajnimit njëvjeçar në Qendrën e Trajnimit të MPB-së, e cila është e akredituar ndërkombëtarisht dhe synon të jetë një nga qendrat më elitare të trajnimit në Evropë.
Pas trajnimit: punësim dhe obligim për të qëndruar 5 vite në MPB
Kandidatët që përfundojnë me sukses trajnimin dhe renditen në listë, nënshkruajnë kontratë pune si “polic praktikant”, me detyrimin për të qëndruar së paku 5 vite në Ministri, në të kundërtën duhet të kompensojnë koston e trajnimit trefish.
Thirrje publike: “Bëhu polic”
MPB fton të rinjtë të pranojnë sfidën dhe t’i bashkohen forcës policore:
“Të jesh nëpunës policor është thirrje, jo profesion i zakonshëm. Realizoje ëndrrën tënde. Bëhu mbrojtësi i familjes, qytetarëve dhe atdheut. Bëhu pjesë e policisë së Maqedonisë.”
















