Pse ndiheni gjithmonë të lodhur? Shpesh shkaku është psikologjik
Lodhja është një ndjesi e zakonshme pas një dite të ngarkuar apo aktiviteti fizik, por shumë njerëz përjetojnë lodhje të vazhdueshme edhe pa ndonjë arsye të qartë mjekësore.
Sipas ekspertëve të shëndetit mendor, kur analizat mjekësore nuk tregojnë probleme fizike, shkaktarët e lodhjes shpesh mund të lidhen me faktorë psikologjik dhe emocional.
Mendohet se mendja dhe trupi janë të ndërlidhur ngushtë, dhe në shumë raste problemet emocionale mund të shfaqen si simptoma fizike, duke e bërë të vështirë identifikimin e shkakut të vërtetë.
Ekspertët theksojnë rëndësinë e vlerësimit të jetës emocionale, duke përfshirë kënaqësinë me jetën, punën dhe marrëdhëniet shoqërore. Ndjenja e zbrazëtisë apo mungesa e qëllimeve mund të ndikojë ndjeshëm në nivelin e energjisë dhe mirëqenien e përgjithshme.
Gjithashtu, lodhja mund të lidhet me gjendje si depresioni i lehtë apo distimia, të cilat karakterizohen nga ulje e humorit, energjisë dhe kënaqësisë në jetë.
Një rol të rëndësishëm luan edhe cilësia e gjumit, pasi si mungesa ashtu edhe teprica e tij mund të shkaktojnë lodhje gjatë ditës.
Specialistët këshillojnë gjithashtu kujdes me përdorimin e substancave si alkooli dhe duhani, të cilat mund të ndikojnë në nivelin e energjisë dhe disponimin.
Në fund, ekspertët theksojnë se ndjenjat e pashprehura si frika, zemërimi apo dhimbja mund të ndikojnë në gjendjen fizike dhe emocionale, ndaj përpunimi i tyre përmes terapive psikologjike mund të ndihmojë në përmirësimin e energjisë dhe mirëqenies së përgjithshme.
Flaka
















