Pse uji është kaq i rëndësishëm për trupin? Ja sa gota duhet të pini çdo ditë
Uji është një nga elementët më të rëndësishëm për funksionimin e trupit të njeriut dhe hidratimi i duhur luan një rol kyç në ruajtjen e shëndetit.
Trupi i njeriut përbëhet nga rreth 50 deri në 70 për qind ujë, ndërsa çdo qelizë, ind dhe organ ka nevojë për të për të funksionuar normalisht. Uji ndihmon në transportimin e lëndëve ushqyese në qeliza, largimin e mbetjeve përmes veshkave, rregullimin e temperaturës së trupit dhe funksionimin e sistemit tretës.
Përveç këtyre, uji është i rëndësishëm edhe për shëndetin e nyjeve dhe kockave, pasi ndihmon në reduktimin e fërkimit gjatë lëvizjes. Ai gjithashtu ndikon në funksionimin e trurit, prodhimin e hormoneve dhe neurotransmetuesve, si dhe ndihmon në ruajtjen e shëndetit të lëkurës.
Mungesa e ujit në organizëm mund të shkaktojë dehidratim, i cili mund të shfaqet me simptoma si dhimbje koke, marramendje, lodhje, probleme me tretjen dhe vështirësi në përqendrim. Dehidratimi mund të ndikojë gjithashtu në kujtesë dhe gjendjen emocionale.
Sipas ekspertëve të ushqyerjes, sasia e ujit që duhet konsumuar çdo ditë ndryshon nga personi në person. Në përgjithësi, gratë kanë nevojë për rreth 9 gota ujë në ditë, ndërsa burrat rreth 12 gota, duke marrë parasysh edhe lëngjet që merren përmes ushqimit dhe pijeve të tjera.
Megjithatë, nevoja për ujë varet edhe nga faktorë të tjerë si aktiviteti fizik, temperatura e ambientit, gjendja shëndetësore, si dhe periudha e shtatzënisë ose ushqyerjes me gji.
Ekspertët këshillojnë që dëgjimi i sinjaleve të trupit dhe konsumimi i rregullt i ujit gjatë ditës janë mënyra më e mirë për të shmangur dehidratimin dhe për të mbajtur organizmin në funksion optimal.
Flaka
















