Rivaldo: Rashford ka talent, por duhet durim te Barça
Marcus Rashford ka nisur zyrtarisht aventurën e tij te FC Barcelona, duke debutuar në miqësoren parasezonale kundër Vissel Kobe, ku luajti për 33 minuta dhe regjistroi një gjuajtje në portë. Sulmuesi anglez është huazuar për një sezon nga Manchester United, me opsion blerjeje përfundimtare prej 26 milionë paund verën e ardhshme.
Legjenda braziliane Rivaldo, fitues i Topit të Artë 1999, ka komentuar transferimin e Rashfordit në një intervistë për Mundo Deportivo në bashkëpunim me Betfair. Ai e cilësoi Rashfordin si një lojtar me potencial të madh, por paralajmëroi se do t’i duhet durim dhe përkushtim për të fituar vendin e tij në një skuadër të mbushur me yje.
“Ai i ka të gjitha cilësitë për të shkëlqyer, sidomos me një trajner të madh si Hansi Flick. Por Barcelona ka një sulm të fuqishëm dhe Rashford duhet të kuptojë ritmin e ekipit dhe të përshtatet,” – tha Rivaldo.
Rashford pritet të luajë kryesisht në krahun e majtë, ku do të përballet me konkurrencën e Raphinha, i cili sezonin e kaluar shënoi 34 gola dhe dha 25 asiste. Rivaldo e cilësoi bashkëkombasin e tij si një nga pesë lojtarët më të mirë në botë dhe nuk sheh mundësi që ai të humbasë vendin në formacion.
Fleksibiliteti i Rashfordit është një aset për Barcelonën, pasi ai mund të luajë edhe si qendërsulmues, duke konkurruar me Ferran Torres për vendin e Lewandowskit, si dhe në krahun e djathtë, ku aktivizohet Lamine Yamal, vetëm 18 vjeç.
Me Kupën e Botës në horizont dhe një sezon të ngarkuar përpara, trajneri Flick do të vlerësojë thellësinë e skuadrës dhe opsionet për rotacion, duke i dhënë Rashfordit mundësinë për të treguar vlerat e tij.
Flaka
















