Rrahmani sërish i pafat, mbrojtësi kosovar pritet të mungojë dy javë
Napoli ka arritur një fitore minimale 1-0 ndaj Sassuolos, duke siguruar tri pikë të rëndësishme në kampionat, por suksesi është zbehur nga problemet e reja me dëmtimet, pasi Mateo Politano dhe Amir Rrahmani janë shtuar në listën e lojtarëve të lënduar.
Për mbrojtësin kosovar Amir Rrahmani, ky dëmtim përbën një tjetër pengesë në një sezon të vështirë, duke qenë se ai kishte munguar edhe në gjysmën e parë të sezonit, ku humbi tetë ndeshje për shkak të problemeve fizike.
Klubi i Napolit ka konfirmuar zyrtarisht dëmtimet përmes një njoftimi, duke bërë të ditur se të dy futbollistët iu nënshtruan ekzaminimeve mjekësore në spitalin “Pineta Grande”.
“Pas lëndimeve të pësuara në ndeshjen kundër Sassuolos, Mateo Politano dhe Amir Rrahmani iu nënshtruan testeve mjekësore. Politano ka pësuar një tërheqje muskulore në kofshën e djathtë, ndërsa Rrahmani një tërheqje muskulore në këmbën e majtë. Të dy lojtarët kanë nisur procesin e rehabilitimit”, thuhet në komunikatën e Napolit.
Sipas parashikimeve fillestare, Amir Rrahmani pritet të mungojë rreth dy javë, ndërsa Mateo Politano do të jetë jashtë fushave për afërsisht një muaj.
Flaka
















