Shenjat që tregojnë se dhimbja e kokës mund të jetë problem më i madh
Dhimbjet e kokës dhe migrena janë të zakonshme në jetën e përditshme dhe në shumicën e rasteve nuk përbëjnë shqetësim serioz, veçanërisht kur ndodhin në mënyrë të përsëritur dhe personi ndihet mirë mes episodeve.
Megjithatë, ekspertët e shëndetit theksojnë se çdo ndryshim i papritur në natyrën e dhimbjes së kokës duhet marrë seriozisht dhe të vlerësohet me kujdes. Sipas specialistëve të neurologjisë, një dhimbje koke që ndihet ndryshe nga zakonisht ose që shfaqet për herë të parë mund të jetë sinjal për probleme më serioze shëndetësore.
Një nga shenjat më shqetësuese është dhimbja e fortë dhe e papritur e kokës, e cila në disa raste mund të lidhet me probleme serioze të enëve të gjakut në tru, përfshirë aneurizmat. Gjithashtu, dhimbjet e kokës që shfaqen më fort në mëngjes dhe që përkeqësohen me kalimin e kohës mund të jenë tregues të çrregullimeve më të thella neurologjike.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se dhimbjet e kokës të shoqëruara me temperaturë, skuqje, lodhje të madhe apo simptoma të ngjashme me virozat mund të jenë shenjë e infeksioneve virale, përfshirë edhe sëmundje të ndryshme respiratore.
Në raste të tjera, dhimbjet e kokës që shfaqen papritur pas moshës 50 vjeç mund të lidhen me inflamacion të arterieve, një gjendje që kërkon vëmendje të menjëhershme mjekësore.
Mjekët këshillojnë që çdo dhimbje koke e pazakontë, e re ose që ndryshon karakter duhet të vlerësohet nga specialistët për të shmangur komplikime serioze.
Flaka
















