Spotify fshin mbi 75 milionë këngë të krijuara me AI, nis luftën kundër “spam-it” muzikor
Spotify ka ndërmarrë një nga pastrimet më të mëdha në historinë e platformës, duke hequr mbi 75 milionë këngë që janë identifikuar si përmbajtje “spam” dhe kryesisht të krijuara përmes inteligjencës artificiale.
Platforma e transmetimit muzikor ka intensifikuar masat kundër publikimeve masive me cilësi të ulët, të cilat synonin të manipulonin sistemin e dëgjimeve dhe pagesave për artistët.
Sipas kompanisë, ky vendim ka për qëllim të mbrojë integritetin e shërbimit dhe të sigurojë një konkurrencë më të drejtë për muzikantët e vërtetë, të cilët mund të dëmtohen nga rrjetet që përdorin mjete të inteligjencës artificiale për të krijuar dhe publikuar mijëra këngë në një kohë të shkurtër.
Rritja e përdorimit të teknologjisë AI në krijimin e muzikës ka sjellë një valë të madhe përmbajtjesh të reja në platformat online. Ndërsa inteligjenca artificiale ka hapur mundësi të reja për krijuesit, disa përdorues e kanë shfrytëzuar atë për të gjeneruar këngë vetëm me qëllim përfitimin financiar përmes dëgjimeve artificiale.
Me këtë aksion, Spotify synon të përmirësojë cilësinë e katalogut muzikor, të reduktojë abuzimet me sistemin e monetizimit dhe të ruajë besimin e përdoruesve dhe artistëve në platformë.
Flaka
















