Stresi po ju dëmton? Këshillat që ndihmojnë në qetësimin e mendjes dhe trupit
Stresi është bërë pjesë e përditshmërisë së shumë njerëzve, veçanërisht për shkak të presionit në punë, angazhimeve të shumta dhe problemeve personale. Edhe pse në disa raste mund të shërbejë si motivim, stresi i vazhdueshëm mund të ndikojë negativisht në shëndetin mendor dhe fizik.
Ekspertët theksojnë se një nga mënyrat më të mira për ta menaxhuar stresin është përqendrimi te gjërat që mund të kontrollohen dhe shmangia e shqetësimeve për situata që nuk varen nga ne.
Problemet në vendin e punës, trafiku apo presioni i përditshëm janë ndër faktorët që mund të rrisin nivelin e stresit. Megjithatë, ndryshimi i mënyrës së reagimit ndaj këtyre situatave mund të ndihmojë në uljen e ankthit dhe tensionit.
Aktivitete si joga, meditimi, ushtrimet fizike dhe teknikat e relaksimit janë disa metoda që mund të ndihmojnë në qetësimin e mendjes. Gjithashtu, rekomandohet reduktimi i konsumit të kafeinës, alkoolit dhe nikotinës, si dhe kujdesi për një gjumë të mjaftueshëm.
Specialistët këshillojnë që njerëzit të mos fokusohen vetëm te problemet, por të kërkojnë zgjidhje hap pas hapi dhe të flasin me persona të besuar kur ndihen të mbingarkuar.
Menaxhimi i stresit nuk ndodh gjithmonë menjëherë, por ndryshimet e vogla në mënyrën e jetesës mund të sjellin përmirësime të rëndësishme për mirëqenien e përgjithshme.
Flaka
















