Struga bëhet qendër diplomatike: Hapet Konsullata e Shqipërisë
Përfaqësuesit e Aleancës për Shqiptarët dhe koalicionit VLEN e quajnë hapjen e Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Strugë një moment historik që forcon lidhjet kombëtare dhe praktike me shtetin amë.
Flaka
Në një ngjarje të cilësuar si “historike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, u hap zyrtarisht sot Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Strugë, një veprim që jo vetëm përforcon lidhjet diplomatike mes Tiranës dhe shqiptarëve përtej kufirit, por edhe lehtëson qasjen ndaj shërbimeve konsullore për qytetarët në rajonin perëndimor të vendit.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, përshëndeti këtë hap si moment domethënës në avancimin e lidhjeve kombëtare.
“Sot, Struga nuk është vetëm qytet i liqenit dhe poezisë, është bërë edhe qytet i diplomacisë shqiptare. Një ditë historike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut,” deklaroi Taravari.
Ai e cilësoi hapjen e konsullatës si një vullnet të qartë politik për të qenë më afër qytetarëve shqiptarë, duke shmangur udhëtime të panevojshme për shërbime që tani mund të kryhen brenda vendit.
Edhe koalicioni qeverisës VLEN reagoi menjëherë, duke vlerësuar lart rëndësinë strategjike dhe simbolike të këtij zhvillimi:
“Në brigjet magjike të Drinit dhe nën hijen e historisë së saj të pasur, Struga po shkruan një kapitull të ri në rrugën e identitetit dhe bashkëpunimit kombëtar,” thuhet në reagimin e VLEN-it.
Sipas këtij qëndrimi, Struga po shndërrohet në një pikë referimi për diplomacinë shqiptare në rajon, duke forcuar praninë e shtetit amë në jetën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në ceremoninë zyrtare morën pjesë emra të njohur të politikës dhe diplomacisë shqiptare dhe maqedonase, përfshirë zëvendëskryeministrin e parë, Izet Mexhiti, ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Igli Hasani, ambasadorin shqiptar në Shkup, Denion Mejdani, zëvendësministrin e Bujqësisë, Albrim Hoxha dhe ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski.
“Ky është një gur i ri themeli për forcimin e subjektivitetit shqiptar në këtë anë të kufirit,” përfundon reagimi i VLEN-it.
Hapja e Konsullatës në Strugë pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën praktike të qytetarëve shqiptarë, por njëkohësisht përçon edhe një mesazh të qartë për afërsinë dhe partneritetin diplomatik mes Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon.
















