Studim: Orari i parregullt i gjumit mund të ndikojë në zhvillimin e trurit të fëmijëve
Një studim i ri shkencor paralajmëron se fjetja vonë dhe oraret e parregullta të gjumit mund të ndikojnë negativisht në zhvillimin e trurit të fëmijëve, veçanërisht në zonat që lidhen me shikimin, perceptimin dhe përpunimin e informacionit.
Hulumtimi, i realizuar nga Universiteti i Zyrihut dhe i publikuar në revistën shkencore Frontiers in Human Neuroscience, analizoi aktivitetin e trurit të 13 fëmijëve të moshës 5 deri në 12 vjeç gjatë dy netëve të ndryshme gjumi në shtëpitë e tyre.
Në një rast, fëmijët fjetën në orarin e zakonshëm, ndërsa në rastin tjetër u lejuan të qëndronin zgjuar deri vonë. Skanimet e trurit treguan se mungesa e gjumit ndikonte ndryshe tek fëmijët krahasuar me të rriturit, duke rritur nevojën për gjumë të thellë në zonat e trurit ende në zhvillim, veçanërisht në pjesët e pasme të tij.
Studiuesit theksojnë se cilësia e gjumit është thelbësore për formimin e lidhjeve nervore gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës, ndërsa rekomandojnë që fëmijët e moshës 6–13 vjeç të flenë 9 deri në 11 orë në natë, sipas udhëzimeve ndërkombëtare.
Flaka
















