Studim: Qumështi i tepërt mund të rrisë rrezikun e frakturave të eshtrave
Qumështi konsiderohet një nga ushqimet më të rëndësishme për zhvillimin e fëmijëve, por konsumimi i tepërt i tij te të rriturit mund të sjellë pasoja negative për shëndetin, sipas disa studimeve shkencore.
Ekspertët theksojnë se rreth 240 ml qumësht në ditë mund të sigurojnë deri në 30% të nevojës ditore për kalcium, një mineral kyç për shëndetin e eshtrave dhe dhëmbëve.
Qumështi përmban gjithashtu proteina, yndyra, vitaminë D dhe vitaminë B12, duke e bërë atë një burim të rëndësishëm ushqyes. Kalciumi, magnezi dhe kaliumi që gjenden në të ndihmojnë në forcimin e sistemit skeletor.
Megjithatë, sipas një studimi të publikuar në “British Medical Journal”, konsumimi i tre ose më shumë gotave qumësht në ditë mund të rrisë rrezikun e thyerjeve të eshtrave te femrat deri në 16%.
Shkencëtarët sugjerojnë se kjo mund të lidhet me përbërësit e laktozës, si galaktoza, të cilat mund të ndikojnë në inflamacionin kronik dhe stresin oksidativ në organizëm.
Një tjetër studim në “The American Journal of Clinical Nutrition” ka raportuar një numër më të lartë frakturash te të moshuarit në vendet me konsum të lartë të produkteve të qumështit dhe proteinave shtazore.
Po ashtu, produktet e qumështit përmbajnë yndyra të ngopura, të cilat mund të rrisin kolesterolin dhe të ndikojnë në rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
Flaka
















