Studim: Stili i punës ulur po ndikon në shtimin e peshës
Epoka digjitale ka ndryshuar mënyrën e punës, por njëkohësisht ka sjellë edhe pasoja në stilin e jetesës së punonjësve. Shumica e të punësuarve në zyra kalojnë rreth tetë orë në ditë të ulur para kompjuterit, një stil jetese i cili konsiderohet si një nga faktorët kryesorë të shtimit në peshë.
Sipas të dhënave, rreth 60% e punonjësve priren të shtojnë peshë për shkak të mungesës së aktivitetit fizik gjatë orarit të punës. Gjithashtu, një pjesë e konsiderueshme e tyre pranojnë se e kanë të vështirë të refuzojnë ushqimet që ofrohen në ambientin e punës, si biskota, ëmbëlsira dhe ushqime të tjera kalorike.
Nutricionistja e njohur Dr. Emma Derbyshire thekson se gjatë punës, kur nivelet e energjisë bien, njerëzit shpesh kërkojnë ushqime të shpejta me sheqer si çokollata apo biskota për të marrë energji të menjëhershme. Megjithatë, ajo këshillon se zgjedhja më e shëndetshme afatgjatë mbetet konsumimi i frutave dhe perimeve.
Gjithashtu, studimet tregojnë se ushqimet e përbashkëta në zyra si tortat e ditëlindjeve, drekat kolektive dhe ëmbëlsirat e rastësishme kontribuojnë në shtimin e kalorive ditore. Një tjetër faktor i rëndësishëm është stresi, i cili sipas të dhënave ndikon që rreth 54% e njerëzve të kenë dëshirë për ushqime të pashëndetshme.
Ekspertët paralajmërojnë se kombinimi i stilit sedentare të punës dhe zakoneve të këqija ushqimore mund të ketë ndikim afatgjatë në shëndet.
Flaka
















