Studimi japonez: Konsumimi i kërpudhave mund të ulë rrezikun e kancerit të prostatës
Një studim i realizuar nga shkencëtarët japonezë ka zbuluar se konsumimi i rregullt i kërpudhave mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për zhvillimin e kancerit të prostatës tek meshkujt.
Hulumtimi, i cili përfshiu më shumë se 36 mijë burra të moshës nga 40 deri në 79 vjeç dhe zgjati 13 vjet, tregoi se ata që konsumonin kërpudha një ose dy herë në javë kishin një rrezik 8 për qind më të ulët për t’u prekur nga kjo sëmundje.
Sipas rezultateve të studimit, burrat që konsumonin kërpudha të paktën tri herë në javë e ulën rrezikun e tyre me 17 për qind. Efekti mbrojtës ishte më i dukshëm tek personat mbi 50 vjeç, si dhe tek ata që konsumonin më pak fruta dhe perime, por më shumë mish dhe produkte të qumështit.
Megjithëse studiuesit nuk arritën të përcaktojnë mekanizmin e saktë të këtij ndikimi, ata besojnë se kërpudhat përmbajnë përbërës biologjikë që mund të kufizojnë veprimin e hormoneve mashkullore që nxisin zhvillimin e kancerit të prostatës.
Pjesëmarrësit që konsumonin më shpesh kërpudha kishin gjithashtu tendencë të ecnin më shumë, të kishin një regjim ushqimor më të pasur dhe të ishin më pak të prirur ndaj duhanpirjes.
Kanceri i prostatës mbetet një nga format më të zakonshme të kancerit tek meshkujt në mbarë botën dhe një nga shkaqet kryesore të vdekjeve nga sëmundjet kancerogjene, ndaj ekspertët theksojnë rëndësinë e një stili jetese të shëndetshëm dhe ushqyerjes së balancuar.
Flaka
















